Raporti i Performancës 2025, ERRU vendos një standard të ri vlerësimi për sektorin e ujit

Përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKUK, Grupi i Bankës Botërore, Ambasada Zvicerane dhe KfW – u bënë pjesë e takimit të organizuar nga ERRU për prezantimin e Raportit të Performancës për Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime 2025.

Një raport që e vendos performancën e sektorit përballë të dhënave dhe krijon një pamje më të qartë të progresit, problematikave dhe nevojave për përmirësim.

Për herë të parë, ERRU sjell Indeksin Kompozit të Performancës, një tregues të unifikuar që ndërthur 12 tregues të performancës në tre dimensione: qëndrueshmëria financiare, eficienca operacionale dhe cilësia e aksesueshmëria e shërbimeve.

Rezultatet tregojnë një sektor në përmirësim, por edhe me sfida që kërkojnë vijimësi: nga humbjet dhe uji pa të ardhura, te arkëtimi, eficienca e operimit, mbulimi me shërbime, furnizimi me ujë dhe trajtimi i ujërave të ndotura.

Raporti i Performancës shërben kështu si një bazë e rëndësishme për vendimmarrjen, planifikimin dhe orientimin e punës së sektorit në vitet në vijim.

Me të dhëna më të plota, matje më të unifikuar dhe transparencë më të madhe, ERRU vijon të kontribuojë në ndërtimin e një sektori më të qëndrueshëm dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.