Asambleja e 31-të e WAREG dhe Konferenca mbi Qëndrueshmërinë e Sektorit të Ujit

Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Z. Ndriçim Shani dhe Sekretari i Përgjithshëm, Znj. Fatime Imeraj përfaqësuan ERRU-në në dy aktivitete të organizuara nga Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG), Autoriteti Rregullator i Ujit në Itali dhe Instituti Universitar Evropian në Firence, Itali.

Konferenca mbi qëndrueshmërinë dhe investimet në sektorin e ujit në Evropë mblodhi shumë institucione të Bashkimit Evropian, rregullatorë dhe aktorë të tjerë interesi për të promovuar qëndrueshmërinë e sektorit të ujit dhe inkurajuar investimet në sektor. Në të u prezantua Iniciativa Evropiane mbi qëndrueshmërinë në sektorin e ujit, për të vijuar më tej me prezantimin e eksperiencës së Italisë të indikatorëve përkatës që përcaktojnë qëndrueshmërinë e sektorit të ujit.

Ditën e dytë u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e 31-të e WAREG, e cila u fokusua në investimet ndërkombëtare në sektorin e ujit dhe rolit të rregullatorëve në incentivimin e tyre, shoqëruar me prezantime dhe diskutime edhe nga përfaqësues të sektorit privat dhe institucione financiare.

Duke qenë se punimet e Asamblesë përkojnë me 10 vjetorin e themelimit të shoqatës, ky takim shërbeu edhe si një reflektim mbi arritjet në bashkëpunim me anëtarët e saj, mes të cilëve është dhe ERRU, sfidat që e presin dhe mundësitë e së ardhmes.

Këto aktivitete morën një rëndësi të veçantë në situatën aktuale të ndryshimeve klimatike, ku sigurimi i burimeve ujore dhe qëndrueshmëria e sektorit ujit janë sfidat kryesore me të cilat ndeshet sot sektori, të cilat kërkojnë intensifikim të investimeve dhe bashkëpunimit të aktorëve që lidhen me këtë sektor për të garantuar një të ardhme të sigurt me ujë për brezat që do të vijnë.