ERRU prezanton Raportin Vjetor 2021 në Komisionin Për Veprintarinë Prodhuese

Në përmbushje të detyrimit që e ngarkon ligji, si dhe rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, Enti Rregullator i Ujit prezantoi në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin veprimtarinë e institucionit dhe perfomancën e sektorit të ujësjellës kanalizimeve për vitin 2021.Në dëgjesën që zgjati rreth dy orë, kryetari i ERRU, Z.Ndriçim Shani parashtroi punën e institucionit që drejton duke veçuar si sfida për vitin aktual rritjen e performancës financiare të shoqërive UK dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve. Theksi u vu në uljen e kostove dhe rritjen e të ardhurave, veçanërisht në drejtim të efikasiteit të përdorimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e numrit të pajustifikuar të stafit, si dhe përmirësimin e punës për saktësinë e raportimit të të dhënave nga shoqëritë.Bashkëpunimi pushtet vendor – drejtues – konsumatorë, sipas kryetarit të ERRU, është çelësi për të arritur suksesin. Dhe vendi ynë i ka shembujt tipikë të këtyre modeleve, siç janë shoqëria UK Korçë, Lezhë e të tjera, të cilat arrijnë jo vetëm të mbulojnë të gjitha kostot e operim mirëmbajtjes, por edhe ofrojnë cilësi të lartë të shërbimit për konsumatorët në furnizim me ujë 24 orë në ditë, si dhe largim dhe trajtim të ujërave të ndotura urbane.Relatori i raportit, Z.Laert Duraj e cilësoi dokumentin të plotë dhe shterues, ndërsa anëtarët e komisionit morën përgjigje të detajuara për pyetjet specifike mbi rregullimin e sektorit të ujit dhe kanalizimeve.ERRU, si institucion i pavarur për rregullimin e sektorit UK ka rritur përpjekjet në mbështetje të përmirësimit të performancës financiare të shoqërive duke vendosur objektiva mjaft agresive për to gjatë procesit të monitorimit të treguesve të performancës dhe miratimit të tarifave të reja që ato propozojnë për shërbimet ndaj konsumatorëve.

Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *