Bazuar në nenin 7 të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” (në vijim LDI) autoriteti publik (në vijim AP) duhet të publikojë Programin e Transparencës (në vijim PT) të miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim Komisioneri). AP duhet të publikojë informacion sipas veprimtarisë së tij funksionale si dhe të rishikojë PT në çdo rast të ndryshimit të aktivitetit institucional, kuadrit ligjor rregullator apo çdo elementi tjetër që ka lidhje me transparencën proaktive.

Në PT janë të specifikuara kategoritë e informacionit të detyrueshme për tu bërë publik. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë i plotë, i saktë, i përditësuar, i thjeshtë në konsultim, i kuptueshëm, lehtësisht i aksesueshem dhe i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të AP. Gjithashtu përpara publikimit AP duhet të vlerësojë nëse ka ndonjë kufizim ligjor për publikim.

Aktet që përmbajnë rregulla norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit si dhe me efekt të drejtpërdrejtë per ta bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit brenda 48 orëve nga miratimi nga AP.

Në PT janë të publikuara kategoritë e informacionit që janë të detyrueshme për tu bërë publik, mënyra e publikimit si dhe parashikimet ligjore prej të cilave lind detyrimi për publikim. Në publikimin e informacionit AP duhet të mbajë parasysh interesin e publikut si dhe të mundësoje aksesimin lehtësisht në informacion publik.