Z. Namik Simixhiu është emëruar Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator pranë Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, në 16 Nëntor 2022. Ai është diplomuar për Inxhinieri Hidroteknike në Fakultetin e Inxhinierisë, Universiteti i Tiranës dhe ka një eksperiencë dhjetëra vjeçare në projektim, ndërtim dhe rehabilitimin e veprave inxhinierike, hidroenergjetike dhe ujësjellës kanalizime, të shtrira pothuaj në të gjithë Shqipërinë. Gjatë viteve 1982 -1989 ka drejtuar punimet në kantierin e digës së hidrocentralit të Komanit dhe më pas të hidrocentralit të Banjës. Më tej, ka drejtuar dhe koordinuar projektimin dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit të ujësjellës kanalizimeve në qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit, duke mbajtur në vijim pozicione kyçe. Z. Simixhiu ka një eksperiencë të gjatë pune në funksione drejtuese në administratën publike, është njohës mjaft i mirë i politikave rregullatore dhe legjislacionit në fuqi në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, mbrojtjen mjedisore dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve.