Trajtimi i Ujërave të Ndotura, ERRU pjesë e seminarit “CrossWater”

“Trajtimi i Ujërave të Ndotura:  Projektimi i procesit dhe Menaxhimi i Rikuperimit të tyre” ishte tema e seminarit të zhvilluar këtë javë, si pjesë e projektit “CrossWater” të Bashkimit Evropian. Enti Rregullator i Ujit u bë pjesë e seminarit me dy përfaqësues nga Drejtoria Tekniko – Ekonomike, Z. Sokol Kraja, drejtor Drejtorie dhe Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave, e cila bëri një prezantim mbi situatën e ujërave të ndotura në vend, parë nga këndvështrimi rregullator.

Menaxhimi i integruar i mbetjeve; Sfidat e trajtimit të ujërave të ndotura; Ripërdorimi i tyre në bujqësi; Qasja e Bankës Botërore ndaj ripërdorimit të ujit; si dhe Grumbullimi e trajtimi i ujërave të ndotura si përmbushje e një kapitulli të mbyllur e gati për të negociuar me BE-në ishin disa nga prezantimet e tjera që u sollën në këtë event.

Projekti i IPA ( CrossWater )prej të cilit po përfiton Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi, synon të krijojë një sistem efikas në Menaxhimin e Ujërave Ndërkufitarë përmes zhvillimit të përbashkët të infrastrukturës dhe teknologjive inovatore si dhe sistemeve të reja të kontrollit. Për të arritur këtë po punohet për hartimin e një Plani të Integruar Ndërkufitar dhe një Dokument të Përbashkët politikash për Sistemin e Menaxhimit të Ujit. Seminari i fundit ishte në funksion të  këtij qëllimi, për të cilin ERRU do të japë kontributin e tij.