ERRU në seancat dëgjimore në Cërrik e Peqin

Enti Rregullator i Ujit ishte sot në Cërrik e Peqin, në dy dëgjesat e fundit të Shoqërisë Rajonale UK Elbasan mbi propozimin për nivel të ri tarifor për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura.

Përpara dorëzimit në ERRU të propozimit për ndryshim të tarifës së shërbimit, shoqëria ka përgatitur dhe prezantoi sot materialin me situatën aktuale të shërbimeve UK, gjendjes financiare në të dyja njësitë si dhe cilësinë e shërbimit që ofrohet për konsumatorët.

Ndryshe nga seancat dëgjimore të zhvilluara në katër qytetet e tjera, pjesë të Shoqërisë Rajonale UK Elbasan, sot u vu re një prani më e shtuar e qytetarëve, disa prej të cilëve shprehën hapur kundërshtimin e tyre mbi propozimin e shoqërisë për unifikimin e tarifave brenda zonave të saj të shërbimit për shkak të specifikave të ndryshme të operimit në secilën prej tyre.

Krahas qytetarëve, të pranishëm në seancat dëgjimore ishin edhe anëtarë të këshillave bashkiakë si dhe Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Z.Andis Salla në dëgjesën e zhvilluar në këtë qytet.