ERRU në seminarin e dytë të TAIEX
Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG) në bashkëpunim me Entin Rregullator të Ujit (ERRU) zhvilluan sot në Tiranë seminarin e dytë rajonal të programit TAIEX, me fokus përdorimin e Treguesve Kryesorë të Performancës në sektorin ujësjellës kanalizime në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Seminari u hap nga Z. Ndriçim Shani, kryetar i Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, si vendi pritës i këtij organizimi, i cili mblodhi ekspertë të lartë në fushën e rregullimit të sektorit në vende të ndryshme në rajon e Evropë. Z. Shani theksoi nevojën për asistencë nga donatorë apo institucione të ndryshme evropiane, me qëllim për të ndihmuar rregullatorët të përmbushin misionin e tyre, rritjen e performancës, qëndrueshmërinë financiare të sektorit dhe garancinë që shoqëritë t’u ofrojnë konsumatorëve një cilësi të lartë shërbimi me tarifë të justifikueshme në kushtet e një shërbimi monopol. “Një nevojë e tillë, për ta çuar sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime në nivelin e dëshiruar, bëhet edhe më evidente në vendet që aspirojnë t’i bashkohen familjes evropiane”, nënvizoi kryetari i ERRU, i cili e mbylli fjalën e tij me një mesazh: “Duke punuar së bashku, ne mund të kapërcejmë sfidat dhe të zbulojmë zgjidhje praktike nga të cilat përfitojnë të gjithë”.
Agregimi i sektorit të ujit, me avantazhet dhe vështirësitë gjatë implementimit dhe çështje të tjera ishin tema e parë e seminarit, shoqëruar me një rast studimor, Portugalinë. Më tej, u fol mbi planet e biznesit dhe Treguesit Kryesorë të Performancës duke dhënë një panoramë të përgjithshme me objektivat kryesorë dhe monitorimin e vlerësimin e performancës. Cilësia e shërbimit dhe mbrojtja e konsumatorëve, si tregues kryesorë të performancës së një shoqërie, ishin dy çështje të tjera që u trajtuan në detaj përmes prezantimeve të mbajtura nga ekspertët dhe të shoqëruara me raste studimore.
Çdo tematikë e trajtuar në seminar u shoqërua me diskutime të hapura midis të pranishmëve që ndoqën në sallë si dhe online, ekspertë të sektorit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
TAIEX (Technical Assistance and Information Exchange instrument of the European Commission) është një program i Bashkimit Evropian që synon të mbështesë vendet të përafrojnë dhe zbatojnë legjislacionin e BE-së për ujërat duke lehtësuar shkëmbimin e përvojave.