ERRU në UK Vau i Dejës për saktësinë e të dhënave
Besueshmëria dhe saktësia e të dhënave tekniko-ekonomike që raportojnë shoqëritë UK është ende një sfidë për Entin Rregullator të Ujit(ERRU), pasi jo rrallë konstatohet që ato nuk përputhen me ato reale, gjë e cila mund të çojë drejt konkluzioneve të gabuara gjatë analizës dhe vlerësimit të performancës që u bëhet shoqërive. Një prej tyre është UK Vau i Dejës, për të cilin ERRU u desh të kryente një monitorim në vend për të bërë një analizë të plotë e të besueshme të performancës së shoqërisë. Përpos ballafaqimit të të dhënave, grupi i punës asistoi stafin e ujësjellësit në plotësimin korrekt të Formularit të Databazës me të dhënat që kërkohen nga ERRU. Një nga faktorët që influencojnë në raportimin e të dhënave jo rrallë here të pasakta është ndërrimi i shpeshtë i punonjësve ose personit përgjegjës që komunikon të dhënat, çka ka sjellë nevojën për asistimin e stafit të ri të shoqërive. Grupi i punës nga ERRU do të vazhdojë vizitat në qytete sipas planit të hartuar për këtë qëllim për të ndihmuar shoqëritë UK për nevojat eventuale që kanë në këtë drejtim.