Kryetari i ERRU prezanton në parlament Raportin Vjetor 2021, gjetjet
Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Z.Ndriçim Shani, prezantoi sot në Parlament veprimtarinë e institucionit për vitin 2021, duke dhënë një pasqyrë të detajuar të të gjithë aktivitetit të ERRU dhe të performancës së sektorit të ujësjellës kanalizimeve bazuar në të dhënat paraprake të shoqërive UK për vitin që lamë pas. Në vitin 2021, treguesit kryesorë të performancës në sektorin e ujit kane rezultuar përkatësisht: Uji Pa të Ardhura në nivelin e 65%; Mbulimi i Kostove të Operim Mirëmbajtjes 103%; Norma e Arkëtimit 80%; Efiçenca e Stafit 5.28 persona/1000 lidhje; Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë në afro 14 orë; Mbulimi me Shërbim të Furnizimit me Ujë në masën 77%, si dhe Mbulimi me Kanalizime i Ujërave të Ndotura në nivelin e 52%. “Nëse i krahasojmë me vitin 2020, të gjithë këto tregues janë në përmirësim, me përjashtim të atij te Mbulimit të Kostove O&M, i cili ka patur një përkeqësim të vogël, si rezultat i rritjes se kostove mbi nivelin e të ardhurave që shoqëritë kanë arritur t’i faturojnë klientëve, ndërkohë që koha e mesatare e furnizimit me ujë ka mbetur konstante”, vlerësoi Z.Shani. Në fjalën përpara deputetëve, kreu i ERRU adresoi problematikat më të mëdha në vite që janë kthyer në gangrenë, si mospagesa e faturave të energjisë elektrike që shoqëritë i detyrohen OSHEE-së si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për përfitimin e lejes higjieno-sanitare që shoqëritë e kanë si detyrim ligjor për t’u licencuar pranë ERRU-së. “Lidhur me akt miratimin higjieno-sanitar, përpjekjet tona kanë qenë të vazhdueshme vitin që kaloi dhe do të vijojmë akoma më shumë në luajtjen e rolit të promotorit në aktivizimin e institucioneve përkatëse. Ndërsa sa i takon borxhit të madh ndaj OSHEE prej 160 milion eurosh, ku gjysma janë kamatëvonesa, duhet patjetër të ndërmerren akte konkrete dhe praktike për analizat e ndërmarrjeve, sidomos ne nëntë prej të cilave janë shumë problematike”, shtoi z.Shani. Sa i takon reformës së ujit që ka në fokus agregimin e shoqërive, z.Shani siguroi se ERRU angazhohet që ta mbështesë fuqimisht, si për licencimin e tyre, edhe në analizën e planeve të biznesit 5-vjeçare që duhet të paraqesin shoqëritë e agreguara dhe marrjen parasysh të të gjithë faktorëve për caktimin e tarifave me baza sa më konkrete dhe të pranueshme. Në objektivat që ERRU ka vendosur për vitin aktual është rishikimi i ligjit nr. 8102 për rregullimin e sektorit, cili duhet updatuar në funksion të kërkesave që ka koha sot. Në përmirësimin e instrumenteve rregullatorë, me ndihmën edhe të asistencës së huaj, vlen për t’u theksuar përmbushja e angazhimit për rishikim dhe hartimin e “Metodologjisë së re të Vendosjes së Tarifave”, dokument që i përgjigjet kërkesave të gjendjes së sektorit, qoftë atyre aktuale, por dhe afatmesme. Me rëndësi ka qenë gjithashtu hartimi dhe miratimi i rregullores për “Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve ndërmjet Shoqërive UK dhe Konsumatorëve”, një strukturë ndërmjetësuese dhe lehtësuese nga ERRU për zgjidhjen sa me racionale të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, me synimin e shmangies sa më shumë të jetë e mundur të procedurave të gjata e të kushtueshme gjyqësore për konsumatorët.