ERRU në seminarin rajonal për rregullimin e shërbimeve të ujit në rajonin e Danubit

Më 24 – 26 shtator, Enti Rregullator i Ujit mori pjesë në seminarin rajonal mbi rregullimin e shërbimeve të ujit në Rajonin e Danubit, i mbajtur në Robert Schuman Centre, Villa Schifanoia – Firenze, në bashkorganizimin e World Bank Danube Water Program, WAREG – Rrjeti Evropian i Rregullatorëve të Ujit dhe Florence School of Regulation. Seminari mblodhi rregullatorë dhe ekspertë të sektorit nga vendet e rajonit, duke krijuar një platformë për shkëmbim përvojash, diskutim mbi sfidat rregullatore dhe forcim të bashkëpunimit rajonal.

🔹 Dita e parë u përqendrua në prezantimin e kuadrit rregullator të vendeve pjesëmarrëse. Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave në ERRU ndau informacione mbi gjendjen e rregullimit të sektorit të ujit në Shqipëri. Një pasqyrë të ngjashme dhanë dhe përfaqësitë nga vende të tjera në rajon. Diskutimet theksuan çështje si caktimi i tarifave, menaxhimi i aseteve, cilësia dhe eficienca e shërbimit, si dhe sfidat për të ardhmen.

🔹 Dita e dytë solli leksione të fokusuara mbi:

  • Ndikimin e legjislacionit të BE-së (Direktivat mbi ujin e pijshëm, ujërat e ndotura urbane, ripërdorimin e ujit, menaxhimin e llumërave);
  • Rritjen e efikasitetit të shërbimeve nëpërmjet reduktimit të humbjeve të ujit dhe eficiencës energjetike;
  • Modelet e rregullimit të tarifave, duke balancuar përballueshmërinë me nevojën për investime;
  • Monitorimin e performancës së shërbimeve, përmes treguesve kryesorë, mbledhjes së të dhënave dhe vendosjes së objektivave rregullatore.

Ky aktivitet u shoqërua edhe me sesione trajnimi nga ekspertë ndërkombëtarë të njohur, duke e kthyer Firencen në një qendër të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mbi rregullimin e shërbimeve të ujit. Pjesëmarrja e ERRU-së në këtë seminar thekson angazhimin e institucionit për të forcuar kapacitetet rregullatore, për të ndjekur standardet më të mira evropiane dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të ujit në Shqipëri.