ERRU merr pjesë në dëgjesat publike të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër
Në datat 25-27 qershor, Enti Rregullator i Ujit mori pjesë në dëgjesat publike të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër në lidhje me propozimin për nivelin e ri tarifor që pritet të dorëzohet së shpejti në ERRU.
Me ftesë të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër, ERRU dërgoi përfaqësuesit e saj, Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave dhe Znj. Laureta Sinani, specialiste pranë këtij sektori për të ndjekur dëgjesat publike në shtatë njësitë operative të shoqërisë rajonale: Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Përmet dhe Këlcyrë.
Administratori i shoqërisë Z. Gentian Llogo bashkë me stafin e tij njohu konsumatorët me situatën aktuale të sektorit duke bërë një bilanc me të dhënat financiare, paraqitën kostot dhe objektivat për përmirësimin e Treguesve të Performancës së shoqërisë dhe propozimin për ndryshim të nivelit tarifor si një ndër mekanizmat drejt arritjes së këtyre objektivave.
Për konsumatorët, dëgjesat publike shërbyen edhe si një mjet për të shprehur pakënaqësitë ndaj shërbimit ujësjellës kanalizime duke kërkuar rritjen e zonës së mbulimit dhe kohëzgjazjen e furnizimit me ujë. Ankesat u dëgjuan nga shoqëria dhe morën premtimin për zgjidhjen e shpejtë nga ana e shoqërisë rajonale.
Krahas transparencës me konsumatorët, seancat dëgjimore kanë synim edhe informimin e tyre në lidhje me pengesat që has shoqëria në plotësimin e standardeve të cilësisë, njohjen me qëllimet e shoqërisë si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushin me qëllim për të patur një shërbim më cilësor.