ERRU merr pjesë në dëgjesat me publikun në Maliq, Pustec e Devoll
Një tjetër grup nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) Z. Sokol Kraja, drejtor i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike dhe Znj. Nevila Saliu, përgjegjëse pranë kësaj drejtorie morën pjesë sot në tre seanca dëgjimore me konsumatorët e qyteteve: Maliq, Pustec e Devoll, të organizuara nga Shoqëria Rajonale UK Korçë në lidhje me propozimin që pritet të dorëzojë pranë ERRU për ndryshim të nivelit tarifor për shërbimet ujësjellës kanalizime.
Në praninë e përfaqësuesve nga pushteti lokal dhe konsumatorëve, kryesisht familjarë, Znj. Frosela Filo, Drejtor Tregtar pranë Shoqërisë Rajonale UK Korçë prezantoi nivelin e ri të tarifave UK, si një domosdoshmëri me qëllim për të rritur cilësinë e shërbimit që iu ofrohet konsumatorëve, për të përmirësuar treguesit e performancës së shoqërisë dhe arritjen e objektivave që kanë vendosur për t’i realizuar në të ardhmen e afërt. Në parim, konsumatorët pjesëmarrës u shprehën kundër ndryshimit të tarifave, ndërkohë që zona e Pustecit insistoi në zgjidhjen e problematikës së kanalizimeve.
Zhvillimi i seancës dëgjimore me publikun është një ndër kushtet kryesore që duhet të përmbushin shoqëritë përpara se të paraqesin propozimin me nivelin e ri tarifor. Nesër ERRU do të jetë në Korçë e Kolonjë për të dëgjuar zërin e konsumatorëve në këto qytete duke përmbyllur kështu ciklin e dëgjesave të Shoqërisë Rajonale UK Korçë.