Raporti vjetor 2023 shqyrtohet në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese
Në përmbushje të detyrimit ligjor dhe rezolutës me rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë, Enti Rregullator i Ujit prezantoi në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin Raportin Vjetor të aktivitetit të tij për vitin 2023, si dhe mbi performancën dhe zhvillimet kryesore në sektorin ujësjellës kanalizime.
Në fjalën e mbajtur përpara deputetëve të komisionit, kryetari i ERRU, Z. Ndriçim Shani bëri një pasqyrim të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023 duke veçuar reformën e agregimit, e cila ka hyrë në fazën e saj përfundimtare. Në këtë proces, ERRU ka luajtur një rol aktiv në drejtim të licencimit dhe tarifave të reja të propozuara nga shoqëritë rajonale si dhe realizimin me sukses të saj duke aplikuar zgjidhje elastike të problematikave komplekse që lindën gjatë implementimit.
Nga 58 shoqëri UK që operonin më parë, deri në fund të vitit 2023 janë konkretizuar 14 shoqëri UK Rajonale. Për arsye teknike, akoma nuk është krijuar Shoqëria Rajonale UK Tiranë që përfshin bashkitë Tiranë, Kamzë dhe Vorë. Gjatë vitit 2023, ERRU ka miratuar licencat për 16 shoqëri UK, 11 prej të cilave si shoqëri rajonale të krijuara sipas reformës. Në lidhje me tarifat, pranë ERRU janë paraqitur shtatë aplikime të reja, tre prej të cilave u refuzuan për mangësi në dokumentacion. Enti po ndjek më vëmendje procesin e unifikimit të tarifave të shoqërive UK brenda një shoqërie rajonale duke studiuar mundësitë e realizimit për shkak të diferencave të mëdha.
Procesi i riorganizimit ka hasur edhe në problematika të tjera si:
– mosrakordimi i detyrimeve të prapambetura kontraktuale të shoqërive të mëparshme ekzistuese
– mosrakordim i numrit të klientëve debitorë në sistem me ato të pasqyruara në bilancet financiare të shoqërive
– mungesa në dokumentacionet e mbartura nga shoqëritë individuale të mëparshme.
Relatori i raportit, Z. Baftjar Zeqaj e konsideroi raportin e paraqitur shterrues, duke e cilësuar Entin si një institucion që po realizon me përgjegjshmëri procesin e licencimit dhe tarifave gjatë reformës së agregimit. Nën drejtimin e kryetarit, Z. Arben Pëllumbi, deputetët e këtij Komisioni shtruan pikëpyetje si dhe dhanë komentet e tyre mbi Raportin Vjetor, të cilat u adresuan nga kreu i ERRU.