Shoqëria Rajonale UK Fier, dëgjesë me konsumatorët
Në datat 27 dhe 28 shtator, Shoqëria Rajonale UK Fier zhvilloi seancat dëgjimore për ndryshim të tarifës së shërbimit të ujësjellës kanalizimeve në zonën e saj rajonale të shërbimit me banorët e Fierit, Mallakastrës e Roskovecit, seanca të cilat e ndoqën nga afër përfaqësues nga një ekip përfaqësues i Entit Rregullator të Ujit.
Administratori i Shoqërisë Rajonale UK Fier, Z. Petrit Kanani, së bashku me drejtuesit teknikë e tregtarë prezantuan para qytetarëve propozimin për të ndryshuar tarifën e shërbimit, si një domosdoshmëri për mbulimin e shpenzimeve të operimit të shoqërisë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, që kjo shoqëri ka si objektiva në të ardhmen e afërt.
Në të tri seancat dëgjimore pati një pjesëmarrje të konsiderueshme nga qytetarët e këtyre qyteteve, kryesisht konsumatorë familjarë, të cilët, pasi u njohën me gjendjen e shoqërisë sugjeruan që meqë energjia elektrike përbën një nga zërat kryesorë te kostos së operimit të shoqërisë, të shikohet mundësia për gjetjen e burimeve alternative të rinovueshme me qëllim uljen e këtyre kostove.
Referuar nën akteve ligjore, shoqëritë UK, para se të paraqesin në ERRU propozimin për ndryshim të tarifës së shërbimit, është kusht i detyrueshëm që ato duhet të organizojnë një seancë dëgjimore me publikun, e cila ka si qëllim sqarimin dhe përfshirjen e konsumatorëve në procesin e miratimit të tarifave të shërbimeve UK, si dhe të rritjes së besimit dhe të bashkëpunimit të shoqërisë me publikun. Mbrojtja e interesave të konsumatorëve është thelbi i misionit me të cilin ligji ngarkon Entin Rregullator të Ujit.