Ndryshimi i tarifave, ERRU në seancën dëgjimore të Shoqërisë Rajonale UK Lezhë
Shoqëria Rajonale UK Lezhë zhvilloi sot tre seanca dëgjimore me qytetarët e Mirditës, Laçit e Lezhës, që përfshihen në zonën e shërbimit të saj. Këto seanca dëgjimore i paraprijnë propozimit që Shoqëria Rajonale UK Lezhë do të dorëzojë pranë ERRU-së për miratim të ndryshimit të tarifës së shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Përfaqësues nga Enti Rregullator i Ujit ndoqën nga afër të gjitha dëgjesat e zhvilluara në secilën nga qendrat e qyteteve të mësipërme.
Prezantimet e propozimeve për tarifa të reja në secilin qytet i paraqiti Drejtori i Shoqërisë Rajonale UK Lezhë, Z. Zef Maci. Seancat dëgjimore me publikun nisën me një përmbledhje të situatës në sektor për të vijuar me analizën në detaje të Treguesve të Performancës, objektivat e shoqërisë si dhe nevojën për një tarifë të re, me qëllim përmirësimin e këtyre treguesve, dhe kryesisht të gjendjes financiare të shoqërisë.
Në dëgjesa pati edhe përfaqësi nga pushteti vendor si dhe një pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh, të cilët dhanë argumentet e tyre kundër ndryshimit të nivelit tarifor për shërbimin që marrin.
Përpos transparencës me konsumatorët, seancat dëgjimore shërbejnë edhe për informimin e tyre në lidhje me pengesat që has shoqëria në plotësimin e standardeve të cilësisë, njohjen me qëllimet e shoqërisë si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushin ndaj kësaj të fundit për të patur një shërbim më cilësor.