Lushnje, ERRU asiston shoqërinë rajonale në procesin e riorganizimit
Enti Rregullator i Ujit zhvilloi sot një vizitë në Shoqërinë Rajonale Lushnje në kuadër të angazhimit për të asistuar shoqëritë e riorganizuara në arritjen e objektivave për përmirësimin e performancës së sektorit.
Një grup pune, nën drejtimin e kryetarit të ERRU, Z. Ndriçim Shani takuan përfaqësuesit e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Lushnjë , e cila në zonën e saj të shërbimit përfshin dy bashki: Lushnje dhe Divjakë.
Ecuria e treguesve të performancës, analiza e tyre dhe detaje mbi procesin e aplikimit për tarifë të unifikuar për gjithë zonën e shërbimit në shoqërinë e riorganizuar ishin disa nga temat e diskutimit.
Si një nga institucionet e ngarkuara për zbatimin e reformës së agregimit të shoqërive UK, ERRU po luan rolin e saj aktiv në përmbushje të detyrimeve që i ngarkon ligji dhe në mbështetje të ecurisë me sukses të realizimit të saj.
Deri më tani janë krijuar 12 shoqëri rajonale, nga 15 të parashikuara për t’u krijuar deri në përfundim të procesit të rajonalizimit të të gjithë sektorit UK në vend. Turi i vizitave të rregullatorit do të vijojë në të tjera shoqëri rajonale.