ERRU në Konferencën e Ujit të Danubit
Me tematikën “Mënyra të reja për kapërcimin e sfidave në sektorin e ujit” nga data 31 maj deri me 2 qershor u zhvillua në Vjenë Konferenca e Danubit për Ujin 2023, ku u diskutuan alternativat për tejkalimin e sfidave me të cilat po përballen vendet në rajonin e Danubit si pasojë e pandemisë, krizës energjetike dhe veçanërisht ndryshimet klimatike.
Në këtë mjedis dinamik nga faktorët e mësipërm, shoqëritë duhet të ruajnë standardet e shërbimit ndaj konsumatorëve, duke përballuar njëkohësisht rritjen e kostove të energjisë, si dhe nevojat për investime në përmbushje të Direktivave Evropiane mbi ujin e pijshëm, ujërat e ndotura urbane, si dhe ato të llumrave të impianteve të trajtimit të tyre.
Në konferencë referuan ekspertë të njohur ndërkombëtarë të fushës së ujit, si dhe profesionistë të rinj, ndërsa Enti Rregullator i Ujit u përfaqësua nga dy specialistë të rrjeteve inxhinierike dhe monitorimit të performancës së shoqërive ujësjellës kanalizime. Pjesëmarrja në organizime të tilla, krahas kontributit qe jep nga eksperienca e saj ERRU, i shërben rritjes profesionale të stafit me azhurnimit e zhvillimeve më të fundit në sektorin e ujit.
Konferenca organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IWAD) që feston 30-vjetorin e saj të themelimit si dhe një dekadë nga krijimi i Programit të Danubit për Ujin.