ERRU, pjesë e projektit të WAREG “Capacity building”
Tre rregullatorët ekonomikë të ujit në vendet e Ballkanit Perëndimor, kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian: Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi u takuan sot në Bruksel në kuadër të projektit për ngritjen e kapaciteteve të stafeve rregullatore, në mbështetje të procesit të integrimit evropian.
Projekti i financuar nga Nisma e Evropës Qendrore (CEI) nën koordinimin e Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG) ka në thelb vlerësimin e efektivitetit dhe përballueshmërisë së tarifave të shërbimit të ujit në metodologjitë e miratuara nga rregullatorët. Për këtë qëllim, një përfaqësi nga Enti Rregullator i Ujit prezantuan sfidat aktuale të sektorit, duke veçuar: reformën e agregimit, mbledhjen e të dhënave të sakta e të besueshme, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore si dhe implementimin e metodologjisë së tarifave. Njëjtë, edhe rregullatorët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi shpalosën problematikat, mangësitë, sfidat dhe reformat e ndërmarra për përmirësimin e sektorit. Prezantimet u zhvilluan në formë interaktive, me pyetje-përgjigje nga të pranishmit duke u mbyllur me një diskutim të hapur mbi zhvillimet e fundit nga sektori i ujit në BE.
Takimi i sotëm midis rregullatorëve në Ballkanin Perëndimor është vijimësi edhe e marrëveshjes së nënshkruar një vit më parë në Shqipëri dhe shënjon fillesat e një bashkëpunimi për shkëmbimin e eksperiencave mbi sfidat e përbashkëta dhe analizimin e veprimeve specifike për të qenë më eficentë në caktimin e tarifave, e veçanërisht në drejtim të përafrimit të legjislacionit me Direktivën e Bashkimit Evropian për Trajtimin e Ujërave.
Projekti synon që përmes një cikli seminaresh dhe rastesh studimore, rregullatorët të ndajnë përvojat e tyre në zbatimin e legjislacionit të BE për ujin, duke marrë në konsideratë: rikuperimin e kostove për shërbimet e ujit, akses universal dhe të barabartë në ujë të pijshëm e me tarifë të përballueshme si dhe përgjegjësitë e rregullatorit për transparencën e të dhënave.