Raporti Vjetor në Kuvendin e Shqipërisë, roli i ERRU në reformën e sektorit UK
Në përmbushje të detyrimit që i ngarkon ligji dhe rekomandimeve të rezolutës, kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Z. Ndriçim Shani raportoi sot në Kuvendin e Shqipërisë veprimtarinë dhe performancën e institucionit për vitin 2022.
Duke folur për zhvillimet kryesore në sektorin e ujësjellës kanalizimeve, Z. Shani veçoi reformën e agregimit të iniciuar nga qeveria qendrore dhe mbështetur nga ERRU, si një ndër institucionet e ngarkuara për zbatimin e saj, përmes përmirësimit të performancës duke rritur kërkesat ndaj shoqërive me qëllim që këto të fundit të rrisin cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorëve. Gjithashtu, ERRU ka lehtësuar procesin duke iu dhënë shoqërive UK të drejtën e transferimit të licencave ekzsituese në Subjektin e Kompetencave të Përbashkëta si dhe duke i lejuar shoqëritë të përdorin tarifat aktuale.
Gjatë fjalës së tij përpara deputetëve, Z. Shani foli për një përmirësim të lehtë të Treguesve të Performancës, me përjashtim të atij për Mbulimin e Kostove të Operim Mirëmbajtjes, si pasojë e krizës globale të energjisë elektrike.
Për vitin 2022, kreu i ERRU përmendi kontributin e ERRU në Grupin Institucional të Punës për Integrimin Evropian si dhe marrëveshjen e lidhur me Autoritetin Rregullator Hungarez për Shërbimet e Ujit si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit midis Rregullatorëve Ekonomikë të Ujit në Ballkanin Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi.
Raportimi i kreut të ERRU u pasua me një sërë diskutimesh nga deputetët pjesëmarrës dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Duke folur për veprimtarinë e Entit Rregullator të Ujit në harkun e një viti, Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, veçoi rritjen e efiçencës dhe mbledhjes së të ardhurave, sipas saj, pasojë e reformës së thellë të nisur nga qeveria, pa lënë mënjanë problematikat e trashëguara në sektorin UK. Për deputetin Laert Duraj, raportimi i Z.Shani ishte shterrues duke paraqitur një fotografi objektive të gjendjes në sektor.
Ndërsa relatori i projektrezolutës, deputeti Ismet Beqiraj vlerësoi punën e bërë nga ERRU për përmirësimin e treguesve të performancës në një shtrirje kohore disa vjeçare si dhe rolin pro aktiv të Entit në agregimin e sektorit dhe zhvillimin e sektorit të ujit.
Ai parashtroi disa nga rekomandimet e lëna, të cilat lidhen kryesisht me bashkëpunimin me institucionet për të çuar përpara reformën e ujësjellësit, marrjen e masave të nevojshme për pajisjen e shoqërive të reja në kohë me licencë, kontributin në lidhje me kërkesat e BE për Direktivën e Ujërave si dhe rritjen e efiçencës së energjisë përmes burimeve të rinovueshme.