Me qëllim raportimin e performancës, ERRU ka hartuar një metodologji për të analizuar renditjen e shoqërive ujësjellës kanalizime në bazë të performancës së tyre të përgjithshme. Kjo i lejon ERRU-së që jo vetëm të përcaktojë shoqëritë me performancën më të mirë dhe më të dobët dhe të publikojë rezultatet e tyre por njëkohësisht të nxisë shoqëritë të përmirësojnë performancën e tyre. Ky është gjithashtu një mjet për të arritur një audiencë më të madhe: ‘tabela e renditjes së shoqërive’ për të gjitha shoqëritë ujësjellës kanalizime mund të kuptohet pa nevojën e njohurive të thelluara në sektorin e ujit. Publiku mund të ndjekë lehtësisht zhvillimet në sektor duke vëzhguar ndryshimet në renditje nëpër vite.
Në vijim të publikimit vjetor të Raportit të Performancës, ERRU shpërndan çdo vit çmime për dy kategori shoqërish:
- Performuesit më të mirë (shoqëritë që kanë arritur sasinë më madhe të pikëve të përgjithshme në grupin e tyre),
- Shoqëritë me ecurinë më të mirë (shoqëritë që kanë treguar përmirësim më të madh të performancës krahasuar me një vit më parë).
Rezultatet e klasifikimit vjetor dhe shpërndarja e çmimeve për fituesit mund ti gjeni në Raportin e Performancës së ERRU.