KEP Project, përmbyllet cikli i seminareve për ngritjen e kapaciteteve

Rregullatorët ekonomikë të ujit në Ballkanin Perëndimor, kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u mblodhën sot në Bruksel në një takim duke përmbyllur ciklin e seminareve të projektit për ngritjen e kapaciteteve të stafeve rregullatore, të cilat vijnë në mbështetje të procesit të integrimit evropian.
Seminari u hap me një fjalë përshëndetëse nga Menaxherja e Programit në Nisma e Evropës Qendrore Znj. Elisabetta Dovier (CEI) dhe kreu i sekretariatit të Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë të Ujit (WAREG), Z. Christian Minelli, për të vijuar me dy prezantime ku u sollën sfidat e sektorit të ujit në Rajonin e Brukselit dhe roli i rregullatorëve në krijimin e shoqërive “water-smart” që presupozon ruajtjen dhe përdorimin e ujit në mënyrë efikase dhe të sigurt.
Në takim morën pjesë stafi i Sektorit Ekonomik dhe Tarifave, të kryesuar nga drejtori i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike, Z. Sokol Kraja, i cili bashkë me përfaqësuesit në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi prezantuan situatën dhe sfidat rregullatore në vendet respektive. Për Shqipërinë, reforma e agregimit të sektorit, mbledhja e të dhënave të sakta e të besueshme, rritja e kapaciteteve të stafit dhe metodologjia e caktimit të tarifave janë sfidat kryesore që bartin të tjera pengesa si: diferencat në cilësinë dhe tarifat e shërbimit brenda një shoqërie rajonale, nevoja për burime njerëzore të kualifikuara e mjete financiare për investimet e nevojshme.
Ky është takimi i fundit i një serie seminaresh të organizuara nga marsi i vitit të kaluar deri më tani, me mbështetjen e CEI dhe organizimin e WAREG, përmes të cilave synohet transmetimi i njohurive tek stafet rregullatore me qëllim që të rritet efektiviteti dhe kompetencat e tyre në caktimin e tarifave dhe zbatimin e strategjive në implementimin e Direktivave Evropiane për ujërat.
Pas seminarit u zhvillua një vizitë studimore pranë impiantit të prodhimit të Ujit në Rajonin Flanders, i cili shfrytëzon tre burime nëntokësore uji për furnizimin me ujë të më shumë se 73 mijë konsumatorëve.