Paris, Takimi i 21 i Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë të OECD

Një grup nga Enti Rregullator i Ujit, përfaqësuar nga Anëtari i Komisionit Kombëtar Rregullator Z. Genci Gjeci mori pjesë në takimin e 21-të të Rrjetit të Rregullatorëve Ekonomikë (NER) të OECD, Paris.
Në çështjen e parë për diskutim, “Qeverisja e rregullatorëve” u prezantuan rezultatet paraprake të Treguesve të GSR 2023 (Governance of Sector Regulation) që lidhen me tre shtylla: pavarësia, llogaridhënia dhe fusha e veprimit.

Më tej u diskutua mbi kornizën e vlerësimit të performancës së OECD për rregullatorët ekonomikë, e cila merr në shqyrtim institucionet, proceset dhe praktikat që ndihmojnë rregullatorët të vlerësojnë e përmirësojnë performancën e tyre.
Takimi i 21-të i NER risolli sërish në diskutim “Axhendën e Gjelbër” duke ndarë rezultatet paraprake të sondazhit mbi kontributin e rregullatorëve ekonomikë në qëndrueshmërinë e mjedisit, si një nga institucionet kryesore për realizimin e objektivave në mbrojtje të mjedisit.

Pjesëmarrësit dhanë komentet e tyre mbi gjetjet e sondazhit dhe identifikuan fushat ku mund të punojnë më tej, diskutime që ndihmojnë në përcaktimin e plan veprimit të NER në të ardhmen e afërt.
Rrjeti i Rregullatorëve Ekonomikë të OECD (NER) promovon dialogun dhe shkëmbimin e përvojave në adresimin e sfidave të përbashkëta midis 70 rregullatorëve nga e gjithë bota, të cilët operojnë jo vetëm në fushën e ujit, por edhe në energji, komunikim dhe transport.