ERRU në Samitin e dytë Digjital të Ujit

Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA) organizoi në  Bilbao, Spanjë Samitin Digjital të Ujit, në të cilin morën pjesë Z. Ndriçim Shani, kryetar i Entit Rregullator të Ujit dhe Znj. Fatime Imeraj, Sekretar i Përgjithshëm.

Ekspertë, studiues në fushën e ujit, kompani teknologjike dhe shërbimi UK, si dhe drejtues të sektorit nga e gjithë bota u mblodhën në datat 14-16 nëntor për të adresuar sfidat aktuale dhe të ardhshme në sektor, u njohën me zgjidhje inovative e teknologjitë më të avancuara në fushën e ujit si dhe modelin “digjital twin” në monitorimin dhe menaxhimin e sektorit. Samiti mbuloi një gamë të gjerë temash thelbësore nga analizimi i të dhënave, matjet inteligjente e deri tek teknologjia IoT që ofron zgjidhje në ruajtjen e ujit.  

Ky është i dyti vit që IWA organizon një samit digjital duke ofruar një platformë të përbashkët globale drejt shfrytëzimit të instrumenteve te digjitalizimit për të rritur kapacitetin dhe performancën në sektor.  Në tri ditë, delegatët patën mundësi të njihen me praktikat më të mira, të shkëmbejnë ide inovative dhe krijojnë bashkëpunime përmes zhvillimit të sesioneve teknike, diskutimeve ndërvepruese dhe demonstrimeve direkte të teknologjive të aplikuara për modelimin e rrjeteve të ujit.