Konferenca dhe Ekspozita e 11 e Përbashkët Ballkanike

Përmbylli punimet Konferenca dhe Ekspozita e 11-të e Përbashkët Ballkanike “Të përshpejtojmë ndryshimin: Drejt Shërbimeve të Sigurta, të Besueshme dhe të Qëndrueshme”, nën organizimin e shoqatave ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri e Kosovë, SHUKALB & SHUKOS dhe praninë e vendim marrësve të nivelit të lartë dhe ekspertë të shumtë në fushën e ujit. Për tri ditë radhazi, nga data 7-9 nëntor, përmes sesioneve plenare dhe teknike u trajtuan një numër i gjerë e shumëdimensional tematikash e çështje të menaxhimit të sektorit të ujit, nga reformat e politikave institucionale e rregullatore për përshpejtimin e ndryshimit në ofrimin e shërbimeve UK, sfidat e fuqisë punëtore, menaxhimi i shoqërive e deri tek financimi në section e ujit.
Si çdo vit, Enti Rregullator i Ujit ndoqi nga afër si dhe dha kontributin e saj përmes angazhimit dhe pjesëmarrjes së stafit në konferencën ballkanike. Kryetari i ERRU, Z. Ndriçim Shani referoi në sesionin e dytë plenar, të fokusuar në përqasjen pragmatike ndaj rregullimit dinamik dhe të orientuar në veprime të shërbimeve UK. Po ashtu, në një prej sesioneve mbi aspektet rregullatore mbajti prezantimin “Amortizim i aseteve si kosto e justifikuar për tarifat e ujit” në të cilën vuri në dukje se ky komponent zë një vlerë të konsiderueshme në kostot e shoqërive dhe influencon dukshëm tarifat e shërbimeve UK. Nisur nga kjo, Z. Shani apeloi shoqëritë të bëjnë kujdes maksimal gjatë aplikimeve për tarifa shërbimi në vlerësimin e kostove, të cilat duhet të jenë reale, pasi në të kundërt sjellin tarifa më të larta dhe të pajustifikuara për konsumatorët.
Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave në ERRU u angazhua si anëtare e Komitetit të Programit Teknik të konferencës si dhe moderoi një prej sesioneve teknike të saj.
SHUKOS dhe SHUKALB organizojnë çdo vit një konferencë të tillë, më e madhja në sektorin e ujit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë mbi 500 pjesëmarrës, aktorë të qeverisë qendrore e lokale, konsulentë, drejtues e stafe të shoqërive UK dhe donatorë të shumtë. Tema e konferencës këtë vit lidhet me arritjen e objektivit SDO6 të Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm duke siguruar akses në ujë të pastër dhe kanalizime për të gjithë.