ERRU nënshkruan dy marrëveshje me AKUK

Enti Rregullator i Ujit nënshkroi sot me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dy marrëveshje bashkëpunimi me rëndësi për rregullimin e sektorit të ujit. Kryetari i ERRU, Z. Ndriçim Shani së bashku me drejtorin e AKUK, Z. Klevis Jahaj firmosën Marrëveshjen e Bashkëpunimit “Mbi raportimin e të dhënave të shoqërive UK pranë sistemit të integruar të informacionit të performancës(IPIS)”, si dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit “Mbi hartimin dhe miratimin e modelit të planeve pesëvjeçare të biznesit për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve”.
E para konsiston në krijimin dhe përdorimin nga të dyja palët të një sistemi të integruar mbi të dhënat dhe treguesit kryesorë të performancës të mbledhura nga operatorët e ofrimit të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve, ndërsa marrëveshja e dytë lidhet me
përdorimin e një modeli dhe udhëzuesi të unifikuar për Planet pesë vjeçare të Biznesit. Sipas marrëveshjes, Enti është përgjegjës për përgatitjen dhe miratimin e modelit Planit të Biznesit pesëvjeçar dhe udhëzuesit përkatës që do të përdoren nga operatorët e ofrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime. ERRU ka intensifikuar më tej bashkëpunimin me AKUK për të çuar përpara reformën në sektorin e ujit.