Komisioneri për të Drejtën e Informimit vizitë në ERRU

Në kuadër të projektit “Transparenca pro aktive e institucioneve të pavarura”, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Besnik Dervishi bashkë me një ekip nga stafi i institucionit zhvilloi sot një vizitë në ambientet e Entit Rregullator të Ujit, përzgjedhur si një ndër institucionet e pavarura me një praktikë mjaft transparente me publikun në zbatim të legjislacionit “Për të Drejtën e Informimit”.
Në fjalën hapëse të takimit, kryetari i ERRU, Z. Ndriçim Shani prezantoi punën e institucionit në drejtim të zbatimit të Ligjit për të Drejtën e Informimit si dhe transparencës me publikun e gjerë, si përmes gamës së informacioneve që publikohen në faqen zyrtare, komunikimit me median si dhe seancat dëgjimore të shoqërive UK me konsumatorët, si parakusht për të nisur shqyrtimin e kërkesave për tarifa të reja.
Z. Dervishi bëri një pasqyrë të gjerë të punës së Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit , kompetencave ligjore, bashkëpunimin me institucionet e pavarura si dhe sfidat për të realizuar me efikasitet informimin e publikut dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Z. Dervishi vlerësoi punën e bërë nga ERRU në trajtimin e kërkesave për informim dhe transparencën e të dhënave duke theksuar forcimin e rolit të koordinatorit si një mekanizëm për të rritur përgjegjësinë e institucionit në ushtrimin e funksionit të tij.
Në vijim të takimit u prezantuan ndryshimet në ligjin nr.11/2014 “Për të drejtën e informimit” si dhe transparenca pro aktive, ndërsa Koordinatori për të Drejtën e Informimit pranë ERRU, Znj. Malvina Zaja foli për eksperiencën institucionale në zbatimin e këtij ligji. Prej vitit 2015, ERRU ka implementuar Programin e Transparencës, në të cilin gjenden lehtësisht të dhëna me rëndësi për konsumatorët, krahas pasqyrimit në kohë të të gjitha informacioneve në faqen elektronike të institucionit.