Objektivat e KPI të lidhura me vendosjen e tarifave dhe përballueshmërinë

Rregullatorët Ekonomikë të Ujit në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut zhvilluan sot seminarin e dytë teknik të “KEP Project”, ku ekspertë të ftuar ndanë njohuri mbi legjislacionin e BE për ujërat, Treguesit Kryesorë të Performancës (TKP) si dhe të dhëna e njohuri të thelluara mbi metodologjitë e caktimit të tarifave.
Në pjesën e parë të seminarit të zhvilluar sot në Shkup u trajtua roli i Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP) në caktimin e tarifave nëpërmjet treguesve për kostot e operim mirëmbajtjen, kostot totale, normën e arkëtimit, ujin pa të ardhura e të tjera duke sjellë edhe raste konkrete studimore nga rregullatori portugez, ERSAR si dhe ARERA në Itali. Prezantimet e këtyre rasteve vunë në dukje në veçanti rëndësinë e besueshmërisë dhe saktësisë së të dhënave për të përcaktuar tregues performance realë dhe të besueshëm.
Në sesionin e dytë u trajtua përballueshmëria e tarifave dhe subvencionet për familjet në nevojë duke vënë theksin në gjetjen e mënyrave dhe mekanizmave të ndryshme për mbulimin e kostove për këto shtresa, bazuar në përvoja konkrete të zbatuara në Portugali.
Seminari u mbyll me një seancë diskutimesh mes përfaqësuesve të rregullatorëve të vendeve të Ballkanit, nën drejtimin e WAREG si dhe rekomandime lidhur me temat e trajtuara.
“KEP Project” është një nismë e WAREG në bashkëpunim me Iniciativën e Evropës Qendrore (CEI) dhe parashikon që deri në shkurt të vitit 2024 të zhvillojë disa seminare midis rregullatorëve të Shqipëri, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me qëllim rritjen e kompetencave të tyre në caktimin e tarifave UK dhe mbështetjen e strategjive kombëtare në përafrimin e legjislacionit me Direktivën e BE për ujërat.