ERRU, takim dypalësh me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Në kuadër të monitorimit të punës në institucionet e pavarura që raportojnë pranë Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një takim pune në ambientet e Entit Rregullator të Ujit (ERRU) me qëllim informimin dhe diskutimin mbi stadin aktual të përmbushjes së detyrave ligjore dhe rekomandimeve të dhëna në rezolutën e miratuar nga Kuvendi për ERRU-në në vitin 2023.

Komisioni Kombëtar Rregullator, i kryesuar nga Z. Ndriçim Shani prezantuan përpara një grupi deputetësh të Komisionit parlamentar që përfaqësohej nga kryetari Z. Arben Pëllumbi, punën e bërë nga ERRU në zbatimin e secilës prej pikave të rezolutës, shumica e të cilave lidhen me reformën e agregimit të sektorit UK në 15 shoqëri rajonale. Z. Shani veçoi bashkëpunimin me institucionet qendrore e vendore në implementimin e reformës, asistencën e ERRU-së ndaj shoqërive që kanë hasur pengesa në periudhën tranzitore, angazhimit të shoqërive për të përgatitur dhe aplikuar për tarifa të reja si dhe vendosjen e objektivave konkrete ndaj shoqërive me qëllim reduktimin e humbjeve dhe të stafit që përgjithësisht janë të mbingarkuar.

Monitorimi i shoqërive në procesin e trajtimit të ankesave të konsumatorëve; kontributi në hartimin e Strategjisë Sektoriale të Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030; pjesëmarrja në grupet e punës në lidhje me Direktivat Evropiane për Ujin e Pijshëm në kuadër të hapjes së negociatave me BE; inkurajimi i shoqërive në rritjen e eficencës së energjisë përmes burimeve alternative të rinovueshme si dhe garantimi i sigurisë së objekteve të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime ishin gjithashtu pjesë e prezantimit të punës së kryer në pjesën e parë të vitit 2023.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit, Z. Pëllumbi vlerësoi punën e Entit Rregullator të Ujit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në drejtim të zgjidhjes së problematikave që shqetësojnë shoqëritë dhe konsumatorët, ndërsa deputetët e pranishëm bënë pyetje dhe shprehën pikëpamjet e tyre në lidhje me reformën.

Në fund të vitit, Enti Rregullator i Ujit harton dhe dorëzon në Kuvendin e Shqipërisë Raportin Vjetor, mbi aktivitetin e ERRU-së në përmbushje të rekomandimeve të Rezolutës, si dhe performancën e sektorit, në bazë të të cilit hartohet rezoluta pasardhëse me vlerësimet dhe rekomandimet përkatëse për vitin në vazhdim.