Vizitë studimore në burimin ujor “Bolje Sestre”, Mal i Zi

Në vijim të workshopit teknik të KEP për ngritjen e kapaciteteve të stafeve rregullatore, në ditën e dytë të tij, Rregullatori Malazez për Ujin dhe Energjinë (REGAGEN) organizoi një vizitë studimore me të pranishmit në burimin ujor “Bolje Sestre” në Budva.

Përfaqësuesit e rregullatorëve ekonomikë, ekspertë në fushën e ujit u njohën nga afër me pjesën praktike të funksionimit të këtij burimi ujor që siguron ujë të pijshëm për të gjithë qytetet në bregdetin malazez, respektivisht Ulqin, Bar, Budva, Kotorr, Herzeknovi si dhe komunat që i rrethojnë. Në burimin e ujit malor në “Bolje Sestre”, krahas komponentëve të tjerë të sistemit, me interes të veçante paraqitej procesi i marrjes dhe laboratori i analizave ditore të cilësisë së ujit.

Sistemi rajonal i furnizimit me ujë për Rajonin Bregdetar të Malit të Zi, me një burim uji me cilësi të lartë, në vitet e fundit përbën një nga investimet kryesore në fushën e ujit nga qeveria e Malit të Zi me fondet e Bashkimit Evropian.