ERRU në seminarin e dytë të projektit “Capacity building”

Enti Rregullator i Ujit ishte sot pjesë e seminarit të dytë të KEP, projektit për ngritjen e kapaciteteve të stafeve rregullatore në vendet e Ballkanit Perëndimor, financuar nga Nisma e Evropës Qendrore (CEI) nën koordinimin e Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG).

Në tryezë u mblodhën përfaqësues dhe ekspertë nga rregullatorët e sektorit të ujit në Shqipëri, Maqedoni e Malin e Zi me synimin për të përçuar njohuri që rrisin efektivitetin e kompetencave të rregullatorëve në vendosjen e tarifave si dhe në mbështetje të strategjive kombëtare në zbatimin e Direktivës së BE për ujërat.

Gjatë seminarit u dhanë përvoja specifike si Mali i Zi dhe Bullgaria, duke i paralelizuar me metodologjitë e përcaktimit të tarifave në Evropë bashkë me avantazhet dhe disavantazhet, komponentët e kostos, përllogaritjen e tarifave, stimujt ose gjobat në kalkulimin e tarifave.

Në vijim të nevojës së shprehur nga rregullatorët në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar midis regullatorëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në maj të vitit 2022, parashikohet që deri në vitin 2024 të zhvillohen një sërë seminaresh dhe vizitash studimore për shkëmbimin e eksperiencave mbi legjislacionin e BE-së për ujërat, të dhënat dhe ekspertizat e vendeve në metodologjitë e përcaktimit të tarifave.
Work shopi i dytë në kuadër të “KEP Project” u mbyll me një diskutim të hapur me pyetje – përgjigje si dhe rekomandime nga ekspertët.