Publikohet Raporti i Performancës për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime 2022

Enti Rregullator i Ujit ka hartuar Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2022, duke ofruar një pasqyrë të plotë të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, krahasuar me vitin paraardhës.
Për të 12-in vit me radhë është analizuar në detaj performanca e 58 shoqërive UK, duke nxjerrë në pah problematikat dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e treguesve tekniko – ekonomik të tyre.
Viti 2022 është shoqëruar me ndryshime rrënjësore në sektorin e ujit duke e agreguar sektorin UK në 15 Shoqëri UK Rajonale që ofrojnë shërbimin në 61 bashki të vendit.

Por duke qenë se ndryshimet kanë ndodhur në fund të vitit 2022, për efekt krahasimi me vitin paraardhës, analiza e shoqërive në këtë raport është paraqitur duke iu referuar 58 shoqërive ekzistuese si dhe duke ruajtur të njëjtën strukturë krahasimi, pasi efektet e ndryshimit fillojnë në janar të vitit 2023 dhe bilancet financiare të shoqërive për vitin 2022 janë mbyllur të veçanta për secilën prej tyre. Deri në fund të vitit 2022 janë krijuar 12 shoqëri UK Rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës dhe që përfshijnë 50 bashki. Me anë të këtij raporti, ERRU jep vlerësimin si institucion i pavarur në pozita asnjanëse në lidhje me performancën e sektorit në tërësi dhe të secilës shoqëri në veçanti.

Raporti i plotë me të gjitha të dhënat mund të aksesohet duke klikuar ketu.