Sfidat rregullatore, ERRU pjesë e Konferencës dhe Ekspozitës Ballkanike

Enti Rregullator i Ujit iu bashkua Konferencës dhe Ekspozitës së Përbashkët Ballkanike organizuar nga Shoqatat e Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri e Kosovë, Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit Kosovë në ditën e dytë të saj. Kryetari i ERRU, Z.Ndriçim Shani moderoi seksionin e tretë teknik të fokusuar në sfidat rregullatore, duke veçuar ndryshimet klimatike, luftën në Ukrainë dhe kostot e rritura të energjisë si vështirësitë më të mëdha që kanë impaktuar sektorin e ujit.
Duke folur për karakteristikat e përbashkëta dhe diferencat midis rregullatorëve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë nënshkruar mes tyre këtë vit një Marrëveshje Bashkëpunimi, Z. Shani vuri në dukje se niveli i zhvillimit, zonat e shërbimit dhe treguesit e performancës janë të përafërt, ndërsa ndahen për nga mënyra e organizimit.
Një informacion më të thelluar për rregullatorët përkatës e dhanë përmes referimeve: Znj. Elda Kruja, Përgjegjëse në sektorin Ekonomik dhe të Tarifave në ERRU; Znj. Hajrije Morina, drejtoreshë e Autoritetit Rregullator të Ujit në Kosovë dhe Znj. Milica Petrovic nga Agjencia Rregullatore e Energjisë në Mal të Zi.
Më tej, kreu i ERRU-së referoi edhe në sesionin e dytë plenar mbi “Rajonalizimin e Shërbimeve Ujësjellës Kanalizime” duke u ndalur veçanërisht në rolin e rregullatorit dhe detyrimet ligjore në fazën e riorganizimit të shoqërive UK, nga 58 në 15 të tilla, teksa Kosova është një hap përpara.
Çdo sesion është pasuar nga diskutime të shumta ku pjesëmarrësit ndanë qasjet e tyre në lidhje me aspekte të ndryshme të sektorit të ujit. Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike zhvillohet këtë vit në Kosovë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga vendet e rajonit, duke përmbyllur punimet tre ditore ditën e nesëme