Seminari i WAREG, veçoritë e modelit shqiptar rregullator

Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG) ku Enti Rregullator i Ujit (ERRU) është anëtar, organizoi sot një seminar online në lidhje me veçoritë e sektorit të ujit në Shqipëri, si dhe rolin, eksperiencën dhe sfidat e ERRU-së. Prezantimi u realizua nga drejtori i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike, Z. Sokol Kraja, i cili shpalosi disa nga problematikat e sektorit UK në vend. Ai theksoi veçanërisht angazhimin e qeverisë qendrore dhe institucioneve të tjera në realizimin e reformës së ujit, përmirësimin e performancës, e cila presupozon rajonalizimin e sektorit duke krijuar 15 shoqëri UK nga 58 që ekzistojnë aktualisht.
Gjatë seminarit, Z. Kraja prezantoi instrumentet rregullatore që përdor ERRU gjatë aktivitetit, duke veçuar metodologjinë e re të tarifave, si dhe mekanizmat për mbledhjen e të dhënave të sakta për vlerësimin e performancës së sektorit. ERRU asiston shoqëritë UK në përgatitjen e aplikimit për tarifë si dhe i mban nën monitorim të vazhdueshëm përmes vizitave dhe inspektimeve duke verifikuar saktësinë e të dhënave që ato raportojnë pranë ERRU-së.
Shkëmbimi i njohurive dhe ekspertizës është instrumenti kryesor që bashkon rregullatorë të shumtë, pjesë e WAREG. Prezantimi i ERRU u ndoq me mjaft interes nga vendet e tjera me komente dhe pyetje mbi aspekte të veçanta të modelit shqiptar rregullator.