Përballueshmëria e tarifave, z.Shani në seminarin e UNECE

Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Z.Ndriçim Shani u bë pjesë e seminarit të organizuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) mbi aksesin e konsumatorëve në shërbimet e ujësjellës kanalizimeve.

I ftuar për të referuar në sesionin e tretë të seminarit, fokusuar në praktikat e mira mbi përballueshmërinë e tarifave të shërbimit, kreu i ERRU ndau eksperiencën e vendit tonë në lidhje me praktikat që Enti Rregullator përdor si kritere për përballueshmërinë e faturave të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve për konsumatorët. Sipas z.Shani, shoqëritë në shumë raste propozojnë tarifa të larta me qëllim për të mbuluar 100% të kostove të shërbimeve, por rregullatori miraton vetëm tarifa që përmbushin kriterin e përballueshmerisë financiare nga konsumatorët familjare dhe që garantojnë minimumin njerezor të nevojave jetike. Fatura për shërbimin UK nuk mund të jetë më shumë se 5% i shpenzimeve mujore të familjes, bazuar në të dhënat zyrtare të INSTAT. Një vlerësim i saktë i përballueshmërisë së faturës, sipas kreut të ERRU-së, është shumë i rëndësishëm, pasi ndihmon pushtetin vendor e qendror të hartojnë planin e subvencioneve për kategoritë në nevojë dhe investimet fizike në sektorin e ujit.

Gjatë seminarit dy ditor që u mbajt përgjatë 13-14 qershor, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet e reja në zonën europiane mbi aksesin e barabartë në shërbime, përfshirë progresin dhe sfidat në implementimin e Direktivës Europiane për Ujin e Pijshëm për vendet që nuk janë pjesë e BE-së. Përfaqësues nga autoritete të vendeve të ndryshme prezantuan modelet e tyre dhe mësimet që nxorën nga situata me covid-19 sa i takon sigurimit të plotë të aksesit të qytetarëve në shërbimet e ujit.

Seminari u mbajt në Gjenevë të Zvicrës dhe njëkohësisht edhe në platformën online, pjesë e të cilës u bë edhe ERRU me prezantimin e saj.