Metodologjia e re e tarifave, ERRU seminar në Vlorë

Enti Rregullator i Ujit përmbylli javën e kaluar ciklin e seminareve të prezantimit të Metodologjisë së re të Tarifave për të 58 shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve në vend. Pas Tiranës, Korçës e Lezhës, kryetari i ERRU, z.Ndriçim Shani, i shoqëruar nga stafi i Sektorit Ekonomik dhe të Tarifave ishin në Vlorë për të prezantuar dhe sqaruar detaje te Metodologjisë së re për 15 shoqëritë e mbetura në jugperendim të vendit.

Gjatë prezantimit të risive që sjell Metodologjia e re e Tarifave, Z.Shani vuri në dukje se ajo i vë shoqëritë në pozita pune, pasi pas çdo vendimi për tarifë, ka një listë me objektiva e rekomandime për të rritur performancën e shoqërive drejt një operimi të pavarur financiarisht nga subvencionet e qeverisë qendrore. Në kuadër edhe të reformës që po kryhet, kreu i ERRU inkurajoi punonjësit e shoqërive të punojnë edhe më shumë duke u përshtatur me format e reja moderne të menaxhimit të sektorit.

Miratimi i tarifave është detyra kryesore që i ngarkon ligji ERRU-së, jo vetëm për faktin se lidhet me qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve, por sepse është instrumenti që përdor për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në një ambient monopol shërbimesh që mbart rrisk për abuzim me çmimet. Prej vitit 2014 e derimë sot është përdorur metodologjia “kosto plus”, që tanimë vjen më e përmirësuar dhe e plotësuar edhe me një tjetër metodë “çmimi tavan” që do të aplikohet për shoqëritë që synojnë të mbulojnë edhe kostot totale. Kërkesë e domosdoshme për këto të fundit është plani i biznesit 5-vjeçar, një projeksion në vite i nevojave dhe objektivave që duhet të plotësohen nga shoqëria.

Hartimi i Metodologjise re është realizuar brenda një periudhe 2-vjeçare nga stafi i ERRU, asistuar nga nje ekspertizë ndërkombëtare. Si pjesë e kësaj pune voluminoze, Përgjegjësja e Sektorit Ekonomik dhe të Tarifave znj.Elda Kruja prezantoi dokumentin bashkë me specialistet, Znj.Nevila Saliu dhe znj.Ana Ismailaja duke e konkretizuar shpjegimin me aspekte praktike dhe modelin e ri të aplikimit për tarifë.

Seminari ishte mjaft interaktiv, pasi stafi i ERRU ezauroi të gjitha pyetjet dhe paqartësitë që shoqëritë hasën pasi u njohën me metodologjinë. I gjithë cikli i prezantimeve u organizua nga Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë, nën asistencën e Bankës Botërore përmes Programit të Danubit për Ujin.