ERRU mbledh Rregullatorët Ekonomikë në Ballkanin Perëndimor, firmosin Memorandum Bashkëpunimi

Katër Rregullatorë Ekonomikë të sektorit të ujërave në Ballkanin Perëndimor nënshkruan  në 18 maj Memorandumin e parë të Bashkëpunimit, përmes të cilit adresohen sfidat e përbashkëta në fushën e ujësjellës kanalizimeve, avancimin në përafrimin e legjislacionit të BE-së për ujërat dhe vendosjen e themeleve për një program bashkëpunimi rajonal. Në një ceremoni të organizuar nga Enti Rregullator i Ujit, krerët e autoriteteve rregullatore në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni e Veriut firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit, në prani të zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Enkelejda Muçaj dhe presidentit të Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit, z.Andrea Guerrini.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i ERRU, Z.Ndriçim Shani deklaroi se kjo është dita kur katër rregullatorët ballkanikë mblidhen në një tryezë, por bashkëpunimi midis tyre daton më herët përmes marrëveshjeve dypalëshe. Me kalimin e kohës lindi nevoja për ta çuar në një shkallë më lart këtë marrëdhënie midis shteteve, të cilët krahas elementëve të përbashkët, kanë edhe diferenca në sektorin e ujit. “Në rajonin tonë ekzistojnë ngjashmëri dhe faktorë të përbashkët që i karakterizojnë rregullatorët kufitarë me njëri-tjetrin, si: mentaliteti, shkalla e zhvillimit, modeli i qeverisjes së sektorit të ujit, dimensionet e zonave të shërbimit dhe popullsisë të mbuluara me shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Por të gjitha kanë një mision të përbashkët: përmirësimi i performancës e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, si dhe garancia që shoqëritë UK në një ambient monopol t’u ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të lartë dhe larg abuzimeve me tarifda të pajistifikuara”.

Në emër të WAREG, Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit ku janë të anëtarësuar katër rregullatorët, presidenti z.Andrea Guerrini garantoi ofrimin e ekspertizës teknike dhe mbështetjen institucionale në favor të bashkëpunimit rajonal të rregullatorëve në sfidat vendimtare që janë identifikuar dhe në përafrimin me standartet e BE-së. “Ky memorandum është një shprehje e vullnetit të rregullatorëve të pavarur në shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave. Ju po tregoni sot një angazhim thelbësor në adresimin e sfidave konkrete në sektorin e ujit si: sigurimi i një cilësie të mirë shërbimi, veprimet në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe krizës energjike si dhe mbushja e boshllëqeve nga mungesa e një legjislacioni të njëjtë me atë europian”, nënvizoi Guerrini në fjalën përballë krerëve të rregullatorëve të ujit, duke lënë derë të hapur WAREG në ndihmë të zbatimit të këtij memorandumi, si shkëmbimi i të dhënave dhe informacioneve, metodologji e praktika menaxheriale në sektorin e ujit.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Enkelejda Muçaj përgëzoi iniciativën e ndërmarrë nga ERRU, e cila so t’i shërbejë Shqipërisë veçanërisht në një moment delikat që po kalon tani, agregimi i shoqërive UK.

Pasi falenderuan vendin mikpritës të takimit, Rregullatorët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë nënvizuan se ky dokument shënon një moment historik dhe ka një rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit me përfitime ekonomike dhe mjedisore.

Në ceremoninë e organizuar nga ERRU morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve, shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit, Shoqatës së Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri e të tjerë.