Enti Rregullator i Ujit luan një rol thelbësor në përcaktimin e politikës së tarifave të shërbimit UK, duke orientuar sektorin drejt rikuperimit të kostove dhe paralelisht, duke mbrojtur interesin e konsumatorëve në raport më kushtet, cilësinë, vazhdueshmërinë, dhe përballueshmërinë e shërbimit.

Bazuar në kompetencat që i jep ligji Nr. 8102 datë 28.03.1996, i ndryshuar, ERRU ka përcaktuar rregullat për aplikimin, shqyrtimin dhe miratimin e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë, largimin dhe përpunimin e ujërave të ndotura.

ERRU përcakton metodologjinë e përllogaritjes së tarifave të shitjes me pakicë e shumicë të ujit për konsum publik, për largimin e ujërave të ndotura dhe trajtimit të tyre. Në përputhje me politikën e qeverisë për zhvillimin e sektorit dhe Direktivave të Ujit të BE, qëllimi kryesor për këtë sektor është arritja e mbulimit të plotë të kostove. ERRU duhet ti sigurojë konsumatorët se tarifat që ata paguajnë bazohen në kostot e domosdoshme dhe të arsyeshme për shërbimet e ofruara. Synimi i ERRU-së është mbulimi i menjëhershëm i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa mbulimi i kostove totale është objektiv më i largët. Politika tarifore e ndjekur nga ERRU përfshin një rritje graduale të tarifave në vitet në vazhdim, me kusht që çdo rritje të pasqyrohet me përmirësime të performancës së shërbimeve. Operatorët zgjedhin strukturën e tarifave duke pasur parasysh objektivat e politikës tarifore.