Znj. Gerta Lubonja

Kryetar i Komisionit Kombëtar Rregullator

Znj. Lubonja, aktualisht Kryetare e Komisionit Kombëtar Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri ka mbi 20 vjet përvojë në fushën inxhinierike, menaxhimin e ujërave dhe hartimin e politikave publike në këtë fushë. E diplomuar për Inxhinieri Hidroteknike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, ajo ka ndjekur specializime të avancuara në Japoni, Austri dhe Turqi, duke thelluar ekspertizën e saj jo vetëm në menaxhimin e ujërave, por edhe në fusha të tjera të lidhura me infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Gjatë periudhës 2004–2014, ka qenë e angazhuar në sektorin privat, duke marrë pjesë në hartimin e një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore. Në vitin 2011 u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku për një mandat 4-vjeçar drejtoi Komisionin e Rregullimit të Territorit, duke kontribuar në zhvillimin urban dhe menaxhimin e qëndrueshëm dhe të integruar të kryeqytetit. Në vitet 2014–2024 ka qenë pjesë e administratës publike. Përgjatë viteve 2014-2018 ka punuar pranë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, ku ka drejtuar fillimisht Drejtorinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe më pas në cilësinë e Sekretarit Kombëtar të Ujit. Nga viti 2017 deri në 2024 ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore. Gjatë angazhimit të saj në këto dy institucione ka luajtur një rol kyç në hartimin e legjislacionit kombëtar për ujërat, përafrimin me “Aquis” të BE, si dhe në zbatimin e konventave dhe marrëveshjeve evropiane dhe ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe Znj. Lubonja ka shërbyer si Pikë Fokale për Shqipërinë në Konventën e Ujit pranë UNECE, duke përfaqësuar vendin në takimet e palëve dhe grupet e punës, si dhe duke ndihmuar në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Prej vitit 2019 ajo është Kryetare e palës shqiptare në Komisionin Shqiptaro-Malazez për Menaxhimin e Ujërave me Interes të Përbashkët, duke udhëhequr bashkëpunimin ndërkufitar në këtë fushë. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete, takime dhe komisione ndërkufitare. Përveç kontributit të saj institucional, Znj. Lubonja është autore e një sërë publikimesh dhe kumtesash shkencore, të prezantuara në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ndarë kështu përvojën dhe ekspertizën e saj në menaxhimin e ujërave dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme.

Z. Genci Gjeci

Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator
Z. Genci Gjeci është emëruar Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, në 26 Maj 2022. Ai është diplomuar në vitin 1987 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Hidroteknikë. Në vitet 1990-1993 ka kryer studimet e thelluara në Universitetin Teknik “Carolo Wilhelmina”, në Braunschweig, Gjermani ku fiton diplomën e inxhinierit dhe masterit në studimet e thelluara në fushën e veprave hidroteknike. Për një periudhe 3-vjeçare ka punuar në Gjermani si inxhinier në fushën e ujësjellës kanalizimeve dhe gazsjellësve. Z. Gjeci ka një përvojë disa vjeçare si këshilltar i projekteve të huaja në Ministrinë e Infrastrukturës, drejtor i njësisë së zbatimit të projekteve, të financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë. Gjithashtu, ai ka punuar edhe në pozicionin e koordinatorit të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për projektet e ujësjellës kanalizimeve si dhe drejtor teknik në punimet e ndërtimit të Hidrocentralit të Ashtës, financuar nga qeveria austriake. Z. Gjeci ka përvojë të gjatë edhe në sektorin privat duke kontribuar në projektimin dhe zbatimin e veprave hidroteknike.
 

Znj. Evis Shurdha

Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator

Znj. Evis Shurdha është emëruar Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, në 14 prill 2021 dhe po ushtron aktualisht mandatin e saj të dytë në këtë pozicion. Ajo është diplomuar në Drejtësi dhe Shkenca Politike. Ka përfunduar studimet Master i Shkencave në të Drejtë Private, pranë Universitetit Europian të Tiranës si dhe Master Profesional në Qeverisje të Korporatave, në Fakultetin Ekonomik, të po këtij universiteti. Ka eksperiencë shumë vjeçare në sektorin privat dhe publik. Në sektorin publik ka mbajtur pozicione të rëndësishme si Drejtore e Departamentit të Administratës në Kryeministri dhe Kryetare e Komisionit të Prokurimit Publik. Ka kryer kualifikime të shumta brenda dhe jashtë vendit në çështje të ndryshme të mirë administrimit të sektorit publik.

Z. Hermon Bonati

Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator

Z. Bonati është emëruar Anëtar i Komisionit Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, me vendimin nr.436, datë 31.7.2025 të Këshillit të Ministrave. Ai është diplomuar në vitin 1995 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në profilin Ndërtime Civile dhe Industriale dhe prej atëherë ka qenë pjesë e administratës shtetërore duke ushtruar funksione të ndryshme. Fillimisht në Ministrinë e Pushtetit Lokal e më pas në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në periudhën 2019 – 2025 ka ushtruar detyrën e drejtorit të Performancës pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore duke organizuar, udhëhequr dhe mbikëqyrur punën për përpunimin dhe analizimin e të dhënave për burimet ujore dhe përdorimin e tyre, si dhe menaxhimin e risqeve që vijnë nga uji apo mungesa e tij. Z. Bonati ka qenë Pikë Fokale për disa nga projektet që kanë asistuar Agjencinë Menaxhimit të Burimeve Ujore, kryesisht në fushën e menaxhimit të riskut nga përmbytjet, si edhe ka kontribuuar si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Shqipërisë në BE, për Kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike, në procesin “Screening”.

Znj. Ediola Braha

Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator

Znj. Ediola Braha është emëruar Anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator pranë Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, në 16 Nëntor 2022. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2001 pranë Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, dega “Gjuhë angleze” e më tej për “Menaxhim Biznesi” në Fakultetin Administrim Biznesi, pranë Universitetit Kristal. Znj. Braha e ka nisur karrierën e saj në vitin 2001 si mësues e gjuhës angleze në shkollën e mesme të përgjithshme në Levan të Fierit, ndërsa në janar të vitit 2010 emërohet zëvendës drejtoreshë në Drejtorinë Spitalore “Përparim Tepelena” në qytetin e Tepelenës, duke marrë dy vite më vonë drejtimin e kësaj drejtorie, detyrë që do ta mbajë deri në vitin 2018. Ndërkohë, ka punuar edhe si pedagoge e jashtme në Universitetin Kristal. Ndër vite, ka kryer trajnime e kualifikime të shumta në aspektin social, menaxherial dhe politikëbërës. Përgjatë 2015-2019, Znj. Braha ka qenë këshilltare në Këshillin Bashkiak, Tepelenë, ndërsa në 2019-2021 deputete në Parlamentin e Shqipërisë.