ERRU është institucion publik i pavarur që bën rregullimin e sektorit ujësjellës kanalizime në Shqipëri, i krijuar me ligjin 8102 dt. 28.03.1996, i ndryshuar, për të siguruar garantimin dhe mbrojtjen e interesave publike dhe për të krijuar një mjedis rregullator transparent.

Ne ushtrojmë funksionet dhe kompetenca e mëposhtme:

  1. Licensojmë persona fizikë apo juridikë, që ofrojnë shërbimin ujësjellës-kanalizime për përfitim publik;
  2. Sigurojmë që operatorët t’ju ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të mirë dhe efikase dhe me një çmim të arsyeshëm;
  3. Përcaktojmë tarifat e shërbimit, në mënyrë që të sigurojmë qëndrueshmërinë financiare të operatorëve si dhe përballimin e tyre nga klientët;
  4. Monitorojmë performancën e operatorëve duke siguruar zbatimin e masave për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe duke nxitur progresin e vazhdueshëm të shërbimit, përmes vendosjes së objektivave efikasë dhe sfidues;
  5. Sigurojmë që operatorët bëjnë më të mirën për klientët dhe mjedisin në vështrim afatgjatë;
  6. Analizojmë ankesat e konsumatorëve dhe i mbështesim ata në zgjidhjen e tyre ndërmjet konsumatorëve dhe operatorëve;
  7. Kontribuojmë me komentet tona në të gjitha proceset e rëndësishme në sektor si në hartimin e strategjive, politikave dhe legjislacionit kombëtar për sektorin ujësjellës kanalizime;
  8. Rregullisht hartojmë dhe vëmë në dispozicion informacion mbi sektorin ujësjellës kanalizime për të gjithë aktorët në sektor dhe publikun e gjerë p.sh. përmes raporteve Vjetore dhe të Performancës.

Për informacion të mëtejshëm mbi mandatin tonë ligjor ju lutemi referojuni ligjit nr. 8102 datë 28.03.1996 “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar.