ERRU pjesë e workshop-it shkencor mbi vlerësimin e burimeve ujore ndërkufitare në rajon

Enti Rregullator i Ujit (ERRU) mori pjesë në workshop-in shkencor të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierisë, me temë “Vlerësimi sasior dhe cilësor i burimeve ujore ndërkufitare të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”. Aktiviteti u zhvillua si një forum shkëmbimi profesional mbi sfidat dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të ujërave ndërkufitare, duke vënë theksin te cilësia, ndotja dhe rreziqet natyrore që ndikojnë në burimet ujore.

Gjatë workshop-it u trajtuan në mënyrë të integruar çështje që lidhen me menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave, vlerësimin e cilësisë sipas metodikave të standardizuara, ndikimin e kushteve gjeokimike, si edhe rolin e rrjetit hidrografik dhe të faktorëve natyrorë në ruajtjen e ekosistemeve ujore. Diskutimet u fokusuan gjithashtu te rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar dhe harmonizimit të qasjeve shkencore për mbrojtjen e burimeve të përbashkëta ujore në rajon.

Pjesëmarrja e ERRU-së në këtë workshop përbën një element të rëndësishëm të angazhimit të vazhdueshëm për rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit, forcimin e njohurive teknike dhe përditësimin me praktikat më të mira shkencore në sektorin e ujit, në funksion të përmirësimit të rregullimit dhe mbikëqyrjes së shërbimeve ujore në vend.