Qëndrueshmëria e sektorit, ERRU në qendër të dialogut rajonal
Gjatë 11 – 13 Nëntor, Enti Rregullator i Ujit mori pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e 13-të të Përbashkët Ballkanike, një prej eventeve më të rëndësishme në sektorin e ujit në rajon, ku përfaqësues institucionesh, operatorë të shërbimeve UK dhe partnerë ndërkombëtarë shkëmbyen praktikat më të mira për menaxhimin e ujit në kohë sfidash klimatike.
Në Sesionin Plenar të nivelit të lartë mbi Menaxhimin e Ujit dhe Qëndrueshmërinë ndaj Ndryshimeve Klimatike, Kryetarja e ERRU-së, Znj. Gerta Lubonja prezantoi vizionin e saj për një sektor stabël dhe të orientuar drejt politikave me impakt afatgjatë. Ajo theksoi domosdoshmërinë e standardeve të harmonizuara rajonale dhe afrimit me direktivat e BE-së, si themel për një sektor të qëndrueshëm.
Në sesionet dedikuar sfidave teknike, ERRU kontribuoi me dy prezantime:
- Znj. Elona Kuçi trajtoi ndikimin e rregullimit në performancën e operatorëve, cilësinë e shërbimeve dhe qëndrueshmërinë operacionale, duke nënvizuar se një rregullim kohërent ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare, eficiencën dhe planifikimin afatgjatë të sektorit.
- Znj. Etleva Demiri prezantoi skemën kombëtare të subvencionimit, një instrument që jo vetëm mbështet familjet në nevojë, por shërben edhe si mekanizëm mjedisor indirekt, duke nxitur përdorimin racional të ujit, uljen e konsumit joefektiv dhe qëndrueshmërinë e burimeve ujore. Elementët e tij kyç, kriteret e bazuara në performancë, mekanizmat e monitorimit dhe kërkesat për transparencë, u vlerësuan veçanërisht nga kolegët rajonalë.
Një tjetër pjesëmarrje me rëndësi gjatë konferencës ishte angazhimi në Forumin e IX të Profesionistëve të Rinj, ku ERRU ndau përvojë, vizion dhe prioritete për një sektor që modernizohet dhe transformohet.
Ky angazhim tre ditor në konferencën e organizuar nga SHUKALB & SHUKOS dëshmoi rolin thelbësor të ERRU në formësimin e politikave ujore dhe forcimin e sektorit – duke kontribuar njëkohësisht në shkëmbimin e dijeve dhe harmonizimin e qasjeve në Ballkanin Perëndimor.
#RregullimiIUjit #Qeverisja #ReziliencaKlimatike #RegullimiIPerformancës #ERRU #SektoriIUjit #BallkaniPerëndimor #ShukosShukalb2025 #ReformoOperatorëve #Qëndrueshmëri