ERRU merr pjesë në mbledhjen e 33-të të Asamblesë së Përgjithshme të WAREG
Shoqata e Rregullatorëve Evropianë të Ujit (WAREG) përmbylli sot mbledhjen e 33-të të Asamblesë së Përgjithshme, në të cilën Enti Rregullator i Ujit (ERRU) mori pjesë me një përfaqësi të kryesuar nga Znj. Fatime Imeraj, Sekretar i Përgjithshëm.
Dita e parë u fokusua në çështjet organizative, nga festimet e 10-vjetorit të WAREG te zgjedhjet e anëtarëve të Bordit që do të shërbejë deri në vitin 2026. ERRU i uron suksese presidentes së re, Znj. Vera Eiro, si dhe katër nënkryetarëve Z. Andrea Guerrini (Zv.presidenti i Përhershëm), Z. Pal Sagvar, Z. Ivaylo Kastchiev dhe Z. Konstantinos Tsimaras.
Ndërsa ditën e sotme u prezantua dokumenti i WAREG “Nga efikasiteti i energjisë te neutraliteti klimatik në sektorin e ujit”. Në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues nga Parlamenti dhe Komisioni Evropian, Banka Evropiane e Investimeve rregullatorë dhe anëtarë bordi të WAREG sollën në diskutim ndryshimet klimatike në sektorin e ujit, mjetet për rregullatorët në mbështetjet të tranzicionit nga eficenca e energjisë te neutraliteti klimatik, investimet dhe qeverisja në sektor.