Seminari i TAIEX mbi Direktivën e Ujit të Pijshëm të BE
Shoqata e Rregullatorëve Evropianë të Ujit (WAREG), në bashkëpunim me rregullatorin portugez (ERSAR) zhvilluan sot seminarin e radhës së Programit TAIEX të Komisionit Evropian. Enti Rregullator i Ujit ishte prezent me një grup pune: Z. Sokol Kraja, Drejtor i Drejtorisë Tekniko – Ekonomike, Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave, Znj. Herta Ismaili, Specialiste e Trajtimit të Ankesave dhe Znj. Fjola Beqiri, Drejtore e Drejtorisë Juridike dhe Konsumatorit, njëkohësisht pjesë e Sekretariatit të WAREG.
Seminari nisi me një prezantim të Direktivës së Ujit të Pijshëm duke përfshirë procedurat e monitorimit të ujit për të vijuar më tej me prezantimin e një rasti studimor, Portugalia. Më konkretisht, roli që luan rregullatori në monitorimin e eficencës dhe investimeve, në hartimin e Treguesve Kryesorë të Performancës, monitorimin e tyre dhe sfidat që burojnë nga detyrat që dikton Bashkimi Evropian.
Neutraliteti i energjisë në sistemet e ujit ishte një tjetër temë prezantimi me rëndësi në këtë seminar. Ekspertët diskutuan se si arrihet ajo, me qëllim për të shkuar drejt neutralitetit klimatik duke reduktuar përdorimin e energjisë. Në seminar u fol mbi përdorimin e teknologjive inovative si: rrjetet inteligjente të ujit, metodat e inteligjencës artificiale, zëvendësimi i mjeteve që bëjnë reduktimin e presionit të ujit. Një vëmendje të veçantë morën Treguesit e Ndërveprimit me Konsumatorët ku u diskutuan shërbimet kontraktuale e standardet minimale si dhe Rregullorja e Cilësisë së Shërbimit.
TAIEX është instrumenti i Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit të Komisionit Evropian, i cili ofron përmes seminareve apo vizitave studimore ofron ekspertizën e duhur për të trajtuar çështjet e ujit, me qëllim përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE. Shqipëria është në mesin e shteteve përfituese nga ky program krahas: Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, , Moldavisë, Serbisë dhe Ukrainës.