Shoqëria Rajonale UK Gjirokastër nis ciklin e dëgjesave publike

Krahas Shoqërive Rajonale UK Berat e Korçë, edhe Gjirokastra pritet të dorëzojë pranë ERRU propozimin për ndryshim të nivelit të tarifave për shërbimet ujësjellës kanalizime duke nisur sot ciklin e seancave dëgjimore me publikun në qytetet Memaliaj e Tepelenë.

Me ftesë të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër, ERRU dërgoi përfaqësuesit e saj, Znj. Etleva Demiri, Përgjegjëse e Sektorit Teknik dhe Licencave dhe Znj. Laureta Sinani, specialiste pranë këtij sektori, të cilat ndoqën prezantimin e shoqërisë në të dy njësitë operative të saj: Memaliaj dhe Tepelenë.

Administratori i Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër, Z. Gentian Llogo bashkë me stafin e tij njohu konsumatorët me situatën aktuale të sektorit duke bërë një bilanc me të dhënat financiare, paraqitën kostot dhe objektivat për përmirësimin e Treguesve të Performancës së shoqërisë dhe propozimin për ndryshim të nivelit tarifor si një ndër mekanizmat drejt arritjes së këtyre objektivave.

Në dy ditët në vijim, në datat 26 dhe 27 qershor do të zhvillohen dëgjesat e radhës me qytetet e tjera të zonës së mbulimit të Shoqërisë Rajonale UK Gjirokastër: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Përmet dhe Këlcyrë.

Krahas transparencës me konsumatorët, seancat dëgjimore shërbejnë edhe për informimin e tyre në lidhje me pengesat që has shoqëria në plotësimin e standardeve të cilësisë, njohjen me qëllimet e shoqërisë si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushin me qëllim për të patur një shërbim më cilësor.