ERRU në Konferencën dhe Forumin e Ujit të Danubit

Një përfaqësi e lartë nga Enti Rregullator i Ujit, kryesuar nga kreu i ERRU, Z. Ndriçim Shani morën pjesë në Konferencën dhe Forumin Vjetor të Ujit të Danubit që u zhvillua në Brasov të Rumanisë, në datat 28-30 maj. Gjatë punimeve të Konferencës, delegacione nga rregullatorët e vendeve që janë pjesë e Rajonit të Danubit u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët për të shkëmbyer informacione rreth zhvillimeve të fundit të shërbimeve rregullatorë në fushën e ujësjellës kanalizimeve në  vendet përkatëse si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave përkatëse me qëllim fuqizimin institucional të tyre. Fokus i diskutimeve ishin Treguesit e Harmonizuar të Performancës në Sektorin Evropian të Ujit dhe mbulimit të kostove të këtyre shërbimeve për një sektor të qëndrueshëm financiarisht.

Në dy ditët e Konferencës u diskutua mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në sektorin e ujit. Në sesione të dedikuara, ekspertë nga vende të ndryshme sollën zhvillimet më inovative, ndikimet e tyre në shoqëri duke nxjerrë në pah shembujt dhe praktikat më të mira. Uji dhe ndryshimet klimatike janë të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre.

Ndryshimet ekstreme të motit po e bëjnë ujin më të pakët, më të pa parashikueshëm e më të ndotur, duke rrezikuar kështu një zhvillim të qëndrueshëm, biodiversitetin dhe aksesin e njerëzve në shërbimet e ujit. Në përshtatje të një realiteti të ri klimatik, shoqëritë UK në rajonin e Danubit po vuajnë kostot të larta të energjisë, fuqi të vjetër punëtore dhe investime të mëdha e të vazhdueshme në sektor.

Për të adresuar këto sfida me të cilat përballet sektori i ujit në Rajonin e Danubit organizohet një forum çdo dy vjet ku shkëmbehen njohuri e përvoja në këto fusha. Konferenca dhe Forumi i Ujit të Danubit mblodhi mbi 150 profesionistë nga vende të ndryshme. Eventi organizohet nga Programi i Ujit të Danubit që asistohet nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit dhe Banka Botërore.