Shoqëria Rajonale UK Elbasan dëgjesë me konsumatorët e Elbasanit dhe Librazhdit

Shoqëria Rajonale UK Elbasan zhvilloi sot dy seanca dëgjimore, në Librazhd dhe Elbasan, mbi prezantimin e nivelit të ri tarifor për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura, me pjesëmarrjen e Entit Rregullator të Ujit. Një përfaqësi nga Drejtoria Tekniko-Ekonomike në ERRU dëgjoi me vëmendje argumentimet e shoqërisë mbi nevojën e një plani të ri tarifor për Përmirësimin e treguesve të Performancës dhe arritjen e objektivave që shoqëria ka vendosur.

Me gjithë lajmërimet në media lokale dhe rrjetet sociale, pjesëmarrja e konsumatorëve në këto dëgjesa nuk ishte në nivelin e dëshiruar. Ata që ishin prezentë u shprehën kundër ndryshimit të nivelit të tarifave, për shkak të natyrës së ndryshme funksionale që kanë ujësjellësit që janë pjesë e Shoqërisë Rajonale Elbasan.

Javën e kaluar, Shoqëria Rajonale UK Elbasan prezantoi nivelin e ri të tarifave në Belsh dhe Gramsh, ndërsa nesër përmbyll ciklin e seancave dëgjimore me publikun me qytetet Cërrik e Peqin. Këto seanca dëgjimore i paraprijnë propozimit që Shoqëria Rajonale UK Elbasan do të dorëzojë pranë ERRU-së për miratim të ndryshimit të tarifës së shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Përpos transparencës me konsumatorët, seancat dëgjimore shërbejnë edhe për informimin e tyre në lidhje me pengesat që has shoqëria në plotësimin e standardeve të cilësisë, njohjen me qëllimet e shoqërisë si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushin me qëllim për të patur një shërbim më cilësor.