ERRU në seancë dëgjimore me konsumatorët në Gramsh e Belsh

Enti Rregullator i Ujit mori pjesë sot në dy seanca dëgjimore me konsumatorët e qyteteve Gramsh dhe Belsh (pjesë të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan) mbi prezantimin e nivelit të ri të tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura.

Një grup i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike u njoh me propozimet e Shoqërisë Rajonale UK Elbasan për ndryshim të tarifave të shërbimit në seancat dëgjimore të zhvilluara në sallat e Keshillit Bashkiak Gramsh e Belsh, ne të cilat morën pjesë anëtarë të këshillit, Kordinatori për të Drejtën e Informimit dhe konsumatorë, kryesisht familjarë.

Në prezantimin e tyre, përfaqësuesi i Drejtorisë Ekonomike dhe degës inxhinierike në Shoqërinë Rajonale UK Elbasan bëri një përmbledhje të situatës në sektor për të vijuar me analizën në detaje të Treguesve të Performancës, objektivat e shoqërisë si dhe nevojën per një tarifë të re, me qëllim përmirësimin e këtyre treguesve, dhe gjendjes financiare të shoqërisë në tërësi.

Seancat dëgjimore me publikun janë parakusht për shoqëritë UK që paraqesin në ERRU propozimin për ndryshim të tarifave të shërbimit. Seanca degjimore ka si qëllim sqarimin dhe perfshirjen e konsumatorëve në procesin e miratimit të tarifave të shërbimeve, si dhe rritjen e besimit dhe bashkëpunimit të shoqërisë me publikun. Mbrojtja e interesave të tyre është thelbi i misionit që ligji i ngarkon Entit Rregullator të Ujit