ERRU, takim pune të përbashkët me Rregullatorin e Kosovës
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) në kuadër të bashkëpunimit me Autoritetin Rregullator të Ujit të Kosovës (ARRU) zhvilloi takimin e radhës për të diskutuar qasjet e dy rregullatorëve mbi Metodologjinë e Tarifave, Monitorimin e Performancës së Shoqërive UK dhe të Trajtimit të Ankesave të Konsumatorëve.
Në fjalën hapëse, kryetari i ERRU-së, Z. Ndriçim Shani dhe Drejtoresha e ARRU-së, Znj. Hajrie Morina vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave midis dy Rregullatorëve mbi çështje të caktuara të sektorit të ujit në vendet respektive.
Aktualisht, Shqipëria është e përfshirë në reformën e agregimit të sektorit, një formë organizimi që Kosova e ka zbatuar që në fillesat e saj dhe ka një përvojë të konsoliduar në këtë drejtim.
“Metodologjia e re e vendosjes së tarifave” ishte një prej tre prezantimeve me të cilat ERRU u paraqit në këtë takim, ndjekur nga dy prezantime të tjera: “Performanca e sektorit UK për vitin 2023 pas riorganizimit të sektorit, sfidat” si dhe “Trajtimi i Ankesave të Konsumatorëve, të mbajtura nga Drejtori i Drejtorisë Tekniko-Ekonomike, Z. Sokol Kraja dhe specialistët e Performancës dhe Trajtimit të Ankesave Z. Sokol Hakrama dhe Znj. Herta Ismaili.
Takimi i dy institucioneve homologe të ujit u programua me tre sesione, në fund të secilës me një seancë diskutimi se si të avancohen praktikat e monitorimit, auditimit, rritja e besueshmërisë së të dhënave të raportuara, pa/mjaftueshmëria e tarifave për zhvillim dhe investime në infrastrukturë e të tjera.
Në secilën prej tyre, ERRU dhe ARRU ndanë përvojat e tyre dhe sugjerimet për rritjen e performancës së shoqërive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për konsumatorët. Takime të tilla janë një mundësi e mirë për shkëmbimin e eksperiencave rregullatore, si dhe për trajnimin e stafit.