ERRU në Konferencën shkencore mbi Gjeoinxhinierinë e Ujërave
Enti Rregullator i Ujit u bë pjesë e Konferencës së parë Kombëtare për ujërat të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me temë: “Gjeoinxhinieria e Ujërave Sipërfaqësore dhe Nëntokësore në Republikën e Shqipërisë – Alternativat për ruajtjen dhe miradministrimin e tyre”.
Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Z. Ndriçim Shani moderoi sesionin e dytë të konferencës, “Menaxhimi i integruar i burimeve ujore në Shqipëri dhe Kosovë” ku u prezantuan 13 kumtesa mbi menaxhimin e burimeve ujore dhe lidhja e tyre me ekosistemet përkatëse. Midis tyre, edhe një prezantim i ERRU: “Parimet e vendosjes së tarifave në Evropë dhe Shqipëri” prezantuar nga Z. Shani, në të cilin u analizuan parimet bazë të Direktivës Kuadër të Ujit në Bashkimin Evropian “Rikuperimi i kostove” dhe “Ndotësi paguan” si dhe sfida e vendit tonë për një sektor jo vetëm të qëndrueshëm financiarisht, por edhe në një linjë me normat e BE-së. Përmirësimi i Treguesve Kryesorë të Performancës si dhe në veçanti rrugët për përmiresimin e performances financiare nga shoqëritë janë disa nga sfidat kryesore të fazës së tranzicionit të sektorit të ujit. Qeveria qendrore, sipas z. Shani duhet gjithashtu të luajë rolin e saj që të balancojë elementët e qëndrueshmërisë financiare me ato të barazisë sociale për shërbimet e ujit.
Konferenca adresoi çështje shumë të rëndësishme dhe aktuale në fushën e ujit duke propozuar zgjidhje të argumentuara nga pjesëmarrësit që ishin akademikë, profesorë, inxhinierë dhe kërkues të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe agjencive politikëbërëse e zbatuese në sektorin e ujit. Qëllimi final i kësaj konference shkencore është të bashkojë dhe të unifikojë opinionet dhe qëndrimet e institucioneve shtetërore dhe shkencore si dhe të promovojë lidhjen midis studimeve akademike dhe përdoruesve të ujit. Dita e dytë do t’i kushtohet një vizite në terren për të kuptuar nga afër rolin e gjeoinxhinierive dhe gjeoshkencave në jetëgjatësinë e Lagunës së Karavastasë.